E motra e Eglantin Progës, i cili mbeti i vrarë pasi u dhunua në qytetin e Pogradecit ka folur para mediave nga vendngjarja, ku qytetarë të shumtë po kryejnë homazhe për 42-vjeçarin.
Ajo u shpreh se vëllait të saj iu mor jeta nga “barbarët e këtij qyteti”, ndërsa u shpreh se ajo do të mbrojë figurën e tij pas vdekjes duke theksuar se “ia ka borxh”.
“Që nga dita kur Egli mbeti këtu i pajetë pasi jetën ia morën barbarët e këtij qyteti, unë do të jem mbrojtësja e tij. Do e mbroj pas vdekjes sepse nuk isha këtu për ta mbrojtur për së gjalli. Mund të dukem si një e vogël dhe hallexheshë me të zeza, por ja kam borxh vëllait tim të sjell drejtësinë. Nuk dua të përfitoj kush nga vdekja e tim vëllai, nuk dua të politizohet vdekja e tij, por do pranoj ndihmën për vendosjen e drejtësisë. Kriminelët që i kanë mbyllur jetën vëllait tim do shkojnë në burg pa përjashtim. Si ata plehra që e dhunuan dhe ata që u përpoqën ta mbyllin këtë vrasje makabre”, tha ajo.