Liban- Tetë persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur rëndë pasi pajisjet e komunikimit të grupit militant libanez Hezbollah kanë shpërthyer. Në një deklaratë, Hezbollah tha se 8 persona kishin vdekur nga shpërthimet, duke përfshirë dy luftëtarë dhe një vajzë.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit ka thënë se ka pasur shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit dhe disa zona të tjera. Videot dhe fotot në mediat sociale tregojnë burra të plagosur të ulur ose të shtrirë në dysheme dhe të tjerët duke u dërguar me urgjencë në spitale.
Gjithashtu një zyrtar i Hezbollahut ka thënë se kjo përbën shkeljen më të madhe të sigurisë që kur armiqësitë me Izraelin u përshkallëzuan 11 muaj më parë, paralelisht me luftën në Gaza. Ngjarja ka ndodhur disa orë pasi kabineti i sigurisë i Izraelit e bëri kthimin e sigurt të banorëve në veri të vendit një objektiv zyrtar të luftës në Gaza.