Stuhitë e fuqishme që kanë prekur Europën Qendrore pritet të mbërrijnë në Itali, ku janë dhënë paralajmërime për reshje të rrëmbyeshme shiu, erëra të forta dhe përmbytje në shumicën e territorit. Raportohet për përmbytje në qytetin e Peskarës në qendër të vendit, ndërsa shërbimi meteorologjik italian ka lëshuar alarm për zonat nga veriu i Emilia-Romagna deri në jug.
Këto paralajmërime vijnë pas stuhive që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Poloni, Republikën Çeke, Rumani dhe Austri gjatë javës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 21 personave.
Gjithashtu, Kroacia, Hungaria dhe Sllovakia po përgatiten për përmbytje në ditët e ardhshme. Këto përmbytje janë shkaktuar nga stuhia “Boris”, e cila gjatë fundjavës solli sasi të mëdha shiu dhe bore.
Në jug të Polonisë, mbi 5,000 trupa ushtarake janë mobilizuar për të ndihmuar popullsinë, përfshirë 40,000 banorë që janë evakuuar nga qyteti i Nysa. Ndërkohë, ujërat e përmbytjeve janë në rënie në disa zona, por po përhapen në të tjera, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Policia polake ka konfirmuar vdekjen e gjashtë personave, duke bërë thirrje për kujdes nga informacione të rreme, pasi disa media raportuan një numër më të lartë viktimash.
Kryeministri Donald Tusk ka shpallur një gjendje emergjente për një muaj, me përmbytjet më të rënda që priten të godasin qytetin e Wroclaw. Ndërkohë, zona përgjatë kufirit mes Republikës Çeke dhe Polonisë është një nga më të prekura, ku janë evakuuar rreth 15,000 banorë.