Stuhia “Boris”, e cila ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës qendrore dhe Italinë do vazhdojë ndikimin e saj duke bërë që edhe në Shqipëri, moti të jetë i paqëndrueshëm.
Meteorologia e njohur nga “Meteoalb” Lajda Porja, thotë se përgjatë fundjavës kushtet atmosferike do të përmirësohen ndjeshëm, ndërsa reshjet do jenë prezente në disa rajone.
Sipas saj, temperaturat e ajrit do vijojnë të jenë të larta.
“Stuhia Boris që përfshiu Evropën qendrore dhe pjesë më të madhe të Italisë vijon ndikimin e saj dhe kjo do të bëjë që dita e sotme, por edhe fundjava të mbeten nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm në territorin shqiptar. Të shtunën dhe të diel, përmirësohet ndjeshëm situata e reshjeve. Reshjet do jenë shumë më të pakta, kryesisht në zonat jugore dhe juglindore priten rrebeshe, pjesa tjetër e territorit do të ketë kthjellime dhe vranësia dhe vetëm momente me pika shiu. Dita e diel do ketë reshje të pakta dhe të izoluara”, tha Porja.