Një teori e re sfiduese sugjeron se ndërgjegjja njerëzore nuk vjen thjesht nga aktiviteti i trurit, por mund të lidhet me dimensione të fshehura në univers.
Michael Pravica, profesor i fizikës në Universitetin e Nevadës, Las Vegas, shpjegon idenë e tij duke përdorur konceptin e hiperdimensionalitetit, që sugjeron se universi përbëhet nga më shumë se katër dimensionet që perceptojmë: lartësi, gjerësi, gjatësi dhe kohë.
Sipas Pravica-s, në momente të ndërgjegjes së shtuar, si gjatë ëndrrave apo kur angazhohemi në aktivitete krijuese, ndërgjegjja jonë mund të kalojë përtej dimensionit fizik dhe të hyjë në një dimension më të lartë. Ai sugjeron se ndërgjegjja jonë lidhet me këto dimensione të fshehura dhe merr frymëzime të papritura nga to.
Shkencëtarët kanë tentuar prej shekujsh të shpjegojnë origjinën e ndërgjegjes, por kjo teori e çon diskutimin jashtë fushës së neuroshkencës dhe drejt fizikës teorike. Megjithatë, kjo ide mbetet e debatueshme, pasi përzien shkencën me ‘elementë shpirtërorë’.
Pravica, një i krishterë ortodoks me doktoraturë nga Harvard, beson se hiperdimensionaliteti mund të lidhë teoritë shkencore me besimet fetare. Ai madje spekulon se Jezu Krishti mund të ketë qenë një qenie hiperdimensionale, duke kaluar midis botës sonë dhe botës shpirtërore, të cilën ai e përshkruan si një botë me dimensione të pafundme.
Megjithatë, disa shkencëtarë, si Stephen Holler nga Universiteti Fordham, e kundërshtojnë këtë qasje, duke theksuar se pa prova konkrete, këto teoritë mbeten në kufijtë e shkencës fiktive. Sipas Holler-it, aftësia jonë për të manipuluar matematikisht dimensionet e larta nuk provon se ato ekzistojnë realisht apo se ndërgjegjja jonë mund të ndërveprojë me to.
Teknologjia jonë aktuale, përfshirë përshpejtuesit e grimcave si LHC në CERN, nuk ka mundur të zbulojë prova të këtyre dimensioneve. Por Pravica mbetet optimist, duke besuar se në të ardhmen mund të zhvillohen pajisje që do të na lejojnë të eksplorojmë këto realitete të fshehura.