Eve Kovac, një 19-vjeçare nga Connecticut, SHBA, është shprehur e acaruar me gazetën britanike Daily Mail për mënyrën si është portretizuar Shqipëria në një intervistë të saj.
Sipas saj, media ka lënë të kuptohet se Shqipëria ishte vendi më pak i preferuar gjatë udhëtimeve të saj në Evropë këtë verë, me pretendimin se “nuk ndihej e sigurt dhe se e ngacmonin burrat shqiptarë, madje edhe kur ishin të shoqëruar nga gratë.”
Eve, e njohur për aventurat e saj globale dhe pasionin për skateboard-in, ndan udhëtimet e saj përmes profilit në saj në Instagram. Ajo ka udhëtuar në disa vende evropiane këtë verë, përfshirë edhe Shqipërinë. Megjithatë, në një postim në rrjetet sociale, Eve ka deklaruar se Daily Mail ka manipuluar fjalët e saj dhe ka deformuar mesazhin, duke sugjeruar një qëndrim negativ që ajo nuk e ka ndaj Shqipërisë.
Reagimi i saj ka ngjallur vëmendje në rrjetet sociale, ku ajo i bëri thirrje ndjekësve të mos i besojnë raportimit të Daily Mail, duke sqaruar se ajo e ka pëlqyer shumë përvojën e saj në Shqipëri dhe i këshillon të gjithë të tjerët të vizitojnë vendin.