Zyrtarët policorë jo vetëm gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, por edhe në jetën private duhet ta mbrojnë, ruajnë dhe ta avancojnë autoritetin e Policisë dhe veçanërisht të kujdesen për forcimin e integritetit të institucionit në tërësi. Në plot raste, deklaratat skandaloze të dhëna në rrjete sociale apo mjete tjera të informimit, iu kanë kushtuar me hetim e masa disiplinore.
Një veprim i tillë është bërë së fundmi nga një zyrtar policor në Policinë në Prizren, konkretisht nga Shyqeri Hajdari, rreshter në Sektorin e Hetimeve në Stacionin Policor në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Hajdari ka lënë një koment të turpshëm në një postim të Gazetës Sinjali në Facebook, lidhur me varrosjen e policit serb që dyshohet se u vra në Serbi nga Faton Hajrizi, tashmë i vrarë nga autoritetet serbe.
Në komentin e tij skandaloz, rreshteri Hajdari shkruan “Ngushëllime Sinjali, ishalla asnjë nuk mbetet” [duke iu referuar policëve serbë] – lutje këto që i ka vazhduar tutje edhe në drejtim të redaksisë “Shkoni edhe ju me ta”.
Një deklaratë e tillë është pëlqyer edhe nga lexues të tjerë, teksa plot sinjalizues kanë shkruar se një reagim i tillë i pavend i bën dëm Policisë së Kosovës.