Një festë për pak sa nuk është kthyer në tragjedi orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një plumb ka plagosur tre persona, 36-vjeçaren Elona Pinarin dhe dy vëllezërit Pengili.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e Rrugës së Kavajës në Tiranë, teksa personat kanë qenë duke festuar. 32-vjeçari Edison Elezaj ka nxjerrë armën që e mbante pa leje për t’ua treguar kushërinjve të tij, por aksidentalisht e ka shkrepur, dhe plumbi ka gërvishtur dy vëllezërit, dhe 36-vjeçaren e ka plagosur në zonën e barkut.
Të tre personat janë transportuar në një spital privat, ku vëllezërit 36 dhe 34 vjeç, pas ndihmës së parë janë larguar në shtëpi, ndërsa Pinari po vijon mjekim, por paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe arrestimin e autorit.