SUEDI- Zhytësit në Detin Baltik zbuluan një anije të shekullit të 19-të të mbushur me shampanjë, verë, ujë mineral dhe porcelan. Në rrënojat pranë brigjeve të Suedisë, ata numëruan mbi 100 shishe shampanjë.
Tomasz Stachura nga grupi Baltitech beson se dërgesa mund të ishte për Carin rus Nikolla I. Anija u gjet rreth 37 km në jug të ishullit suedez të Oland. Shishet e ujit prej balte, që tregonin emrin e markës së kompanisë gjermane Selters, i ndihmuan ata të datonin anijen nga 1850 deri në 1867.
Stachura, pas 40 vjetësh zhytjeje, e quan këtë gjetje një “thesar”.
Ndërsa shampanja do të ishte më me interes për shumë njerëz sot, uji mineral ishte një produkt ekskluziv “i trajtuar pothuajse si ilaç” i cili “e gjeti rrugën e tij vetëm në tryezat mbretërore”, tha Stachura. “Vlera e tij ishte aq e çmuar, saqë transportet shoqëroheshin nga policia”.
Sa i përket shampanjës dhe ujit mineral prestigjioz, Stachura beson se të dy do të ishin të pijshëm sot. Për momentin, thesari po qëndron aty ku është, me arkeologë nënujorë të thirrur për të ndihmuar.
“Anija kishte qenë e shtrirë atje për 170 vjet, kështu që le të qëndrojë atje një vit më shumë,” tha Stachura.
Autoritetet suedeze janë informuar dhe po planifikojnë të ndërmarrin hapa për administrimin e gjetjes.