Dy persona janë vënë në pranga në Golem dhe Rrogozhinë pasi dyshohet se vunë zjarr në dy zona ditën e enjte.
Fillimisht ra në pranga 60-vjeçari me iniciale B.H. Ai dyshohet se ndezi zjarr në pronën e tij në fshatin Zigxhafaj për të djegur mbeturina. Por flakët morën tjetër drejtim duke u përhapur, duke rrezikuar banesat në zonë e duke djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore.Në pranga ra edhe një 58-vjeçar në fshatin Sinaballaj. Edhe ai dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij për të djegur mbeturina. Mirëpo flakët janë përhapur duke djegur një sipërfaqe toke të mbjellë me ullinj.olicia njoftoi se flakët janë shuar si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse dhe Forcës së Sigurisë Kombëtare me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka shpërndarë në rrjetet sociale momentin e arrestimit të një prej zjarrvënësve. Ai kujton se zjarrvënia e qëllimshme është krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burg.
“Policia dhe strukturat e tjera vartëse të saj, do të kenë tolerancë zero në këtë drejtim. Gjithashtu i bëjmë një apel të gjithë qytetarëve, që të sinjalizojnë Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Zjarrfikës, për të identifikuar autorët dhe për të ndihmuar në eliminimin e rrezikut që në momentet e para”, njoftoi policia.