Autoritetet në shtetin indian të Maharashtra janë përballur me një rast të tmerrshëm, pas zbulimit dhe shpëtimit të një gruaje 50-vjeçare amerikane në një pyll të zonës. 50-vjeçarja Lalita Kayi u gjet e lidhur me zinxhirë në një pemë nga një bari që dëgjoi thirrjet e saj për ndihmë mbrëmjen e së shtunës. Gruaja, siç shihet edhe nga fotot e publikuara nga NDTV, ishte kockë e lëkurë dhe u dërgua me urgjencë në një qendër mjekësore në Goa për trajtim të specializuar.
Edhe pse ishte shumë e dobët për të folur, Kayi shkroi një shënim në anglisht duke thënë se kishte kaluar 40 ditë pa ushqim në pyll pasi burri e lidhi në një pemë me një zinxhir hekuri. Autoritetet lokale besojnë se gruaja ishte trajtuar për “psikozë ekstreme” dhe vuan nga probleme psikologjike. Policia ka nisur hetimet për tentativën e mundshme të vrasjes nga bashkëshorti i 50-vjeçarit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur në media.
“Ne po përpiqemi të konstatojmë nëse pretendimi i gruas se ishte lidhur me zinxhir nga ish-bashkëshorti i saj ishte i vërtetë. Ne po verifikojmë çdo pretendim dhe informacion në shënimin që ajo shkroi,” tha inspektori i policisë Saurabh Agrawal.
Kur Kayi u gjet, ajo kishte një pasaportë amerikane me vete- si dhe një vizë të skaduar që tregonte se ajo kishte jetuar në Indi për rreth 10 vjet. Është e paqartë se nga cili rajon i SHBA është. Dokumentet e tjera të gjetura në zotërim tregojnë se ajo jetonte me burrin e saj në Tamil Nadu.
“Kur e zbuluam, ajo ishte e dehidratuar në mënyrë kritike. Duket se ajo ishte atje për të paktën 48 orë, megjithëse nuk mund të fliste me ne”, tha Amol Chavan, një inspektor në stacionin e policisë Sahwadwadi dhe pjesë e ekipit që e gjurmoi. Policia u desh të priste pemën dhe të thyente drynin në zinxhirin me të cilin ishte lidhur gruaja.