Dy vëllezër të moshës 18 dhe 20-vjeç janë arrestuar pasi kanë shantazhuar vajza te ndryshme, për dhënie parash, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të tyre, në rrjete sociale.
Të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e këtyre materialeve, kërkonin shuma të ndryshme parash.
Në një rast ata kanë shantazhuar një 14-vjeçare dhe i kanë marrë dy herë para.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Cybersnare”, ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Arrestohen 2 vëllezër të cilët shantazhonin shtetase te ndryshme, për dhënie parash, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të tyre, në rrjete sociale.
Dokumentohen me prova ligjore 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Sekuestrohen shuma parash dhe 2 celularë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cybersnare”, ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Gjtë operacionit u arrestuan shtetasit H. M., 20 vjeç, dhe J. M., 18 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë.
Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e këtyre materialeve, kërkonin shuma të ndryshme parash.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera janë dokumentuar ligjërisht 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilat dy vëllezërit kanë përfituar shuma parash nga një 14-vjeçare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash dhe 2 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.