Skandali te “Shefqet Ndroqi”, Prokuroria kërkon 7 vite burg për sanitaren Tire

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar sot konkluzionet për skandalin e korrupsionit gjatë pandemisë COVID-19, që përfshinte bluzat e bardha.

Organi akuzës ka kërkuar dënimin e Tire Alldervishit me 7 vite burg për “mashtrim” të kryer në bashkëpunim dhe për pasoja të rënda.

Për infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj dhe Rukije Hoxhaj, prokuroria ka kërkuar nga 6 vite burg për akuzat e mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.

Skandali, i njohur si “Tire”, u publikua për herë të parë dy vite më parë në një emision investigativ dhe u zbulua përmes video-përgjimeve. Në video, Alldervishi u prezantua si infermiere dhe i kërkoi para familjarëve të pacientëve në spitalin Shefqet Ndroqi, duke premtuar shërbime që nuk i ofroi. Ajo arriti të zhvasë rreth 8 milionë lekë nga një vajzë, e cila i besoi se do të kujdesej për nënën e saj me COVID-19, e cila më pas vdiq.

Procesi gjyqësor është zhvilluar me gjykim të zakonshëm dhe pritet një verdikt nga gjykata pas konkluzioneve të palës së mbrojtjes.