Kuroni sëmundjet e lëkurës te fëmijët – 1

Ekzema atopike, e cila shpesh quhet ekzema fëmijërore ose vetëm ekzema, është pezmatim i lëkurës që shkakton puçrra të kuqe në lëkurë, e bën lëkurën të thatë dhe me luspa që zakonisht shkaktojnë kruarje të madhe. Në lëkurën e pigmentuar pezmatimi paraqitet me ngjyrë si më të purpurt ose ngjyrë kafe dhe lëkura e vrazhdë mund të jetë si një karakteristikë dominuese. Puçrrat mund të pikojnë dhe lëkura mund të formojë kore. Ekzema ka tendencë zhvillimi te fëmijët e moshës pas 2 – 4 mujore. Te shumë fëmijë ekzema përmirësohet me rritjen e moshës. Edhe pse nuk i dihet shkaktari, zakonisht këtë ekzemë e lidhin me sëmundjet alergjike (atopike) të astmës dhe alergjisë “hay fever”.

Ku zhvillohet?

Ekzema atopike (alergjike) paraqitet te foshnjat. Shpesh shfaqet së pari në faqe, të cilat nisen të pezmatohen dhe të thahen. Lëkura mund të jetë e skuqur ose në lëkurën e pigmentuar paraqiten hije të purpurta, ngjyrë kafe ose edhe të bardhë. Mund të zhvillohet në ball dhe lëkurë të kokës (skalp). Krahas me rritjen e foshnjës, ekzema ka tendencë zhvillimi në trup dhe në duar nga ana e përparme e bërrylave dhe në këmbë prapa gjunjëve. Gjithashtu mund të paraqitet edhe rreth nyjeve të dorës dhe të këmbës. Në fëmijëri të mëvonshme ekzema zakonisht më rrallë paraqitet në fytyrë, por puçrrat mund të paraqiten prapa veshëve dhe rreth syve.

Çfarë e shkakton ekzemën?

Siç u përmend më sipër, ekziston një shoqërim mes ekzemës dhe konditave të tjera alergjike, por në shumicën e rasteve nuk është gjetur ndonjë alergji e dukshme ndaj çfarëdo substance që mund ta shkaktojë ekzemën. Një numër faktorësh mund ta keqësojnë duke përfshirë, kontaktet me substanca ngacmuese ose që thajnë lëkurën si sapuni, detergjentët dhe shampot, moti i ftohtë kur lëkura ka tendencë të thahet, infektime sekondare të shkaktuara nga bakteret, stresi. Edhe pse shumë njerëz pyesin nëse diçka në dietë mundë ta keqësojë gjendjen, te shumica e fëmijëve është tejet e vështirë të tregohet nëse ndonjë ushqim i veçantë është shkaktar i problemit.

Si parandalohet dhe trajtohet?

Shumë veprime apo përdorime produktesh duhen evituar, si p.sh: fërkimin dhe kruarja e lëkurës, sepse këto veprime e përkeqësojnë pezmatimin dhe kruarjen; largojuni përdorimit të sapunëve, detergjentëve dhe prodhimeve të aromatizuara sepse ato e thajnë lëkurën; evitoni larjet e gjata në banjë të ngrohtë ose dush të ngrohtë dhe me kohë të gjatë, sepse larjet e tilla mund ta ngacmojnë dhe thajnë lëkurën edhe më shumë. Po ashtu duhet të shmangni qëndrimin në diell, verës, kur temperaturat janë ekstreme; mos mbuloni fëmijën me batanije sepse ato e ngrenë temperaturën e fëmijës dhe e bëjnë ekzemën të kruajtshme; mos e vishni fëmijën me rroba që shpojnë lëkurën, siç janë ato të leshit; evitoni kontaktet direkte me mbulesa leshi.

Nëse ekzema infektohet, mund të jetë e nevojshme përdorimi i antibiotikëve, sipas udhëzimit të mjekut. Shurupet për trajtimin e gjendjeve alergjike mund të ndihmojnë nëse lëkura kruhet, sidomos nëse kruarja vazhdon dhe gjatë natës dhe pengon gjumin. Roli i ushqimit në trajtimin e ekzemës nuk është i qartë dhe për shumicën e fëmijëve rezultatet e dietave speciale janë dëshpëruese. Edhe pse është mirë të kërkoni mendime rreth dietës, prapë këshillat duhen kërkuar nga personat që kanë njohuri të gjerë mbi ekzemën dhe që dinë se çfarë janë kërkesat ushqimore te fëmijët.

Këshilla

Për pastrimin e lëkurës përdorni vaj për banjë në vend të sapunit
Pas banjës lyeni rregullisht lëkurën e fëmijës me kremra zbutës ose kremra ujorë
Pasi ta lani, thajeni me kujdes lëkurën e fëmijës
Gjatë periudhës së dimrit fëmijën zhvisheni në dhomë të ngrohtë. Në verë, dhomën e fjetjes të fëmijës mbajeni të freskët
Visheni fëmijën me rroba të lehta pambuku
Hiqni etiketat prej rrobave që të mos shkaktojnë kruarje
Përdorini pelena absorbuese dhe ndërrojini ato rregullisht

Nga Revista Vital, botim i Spitalit Amerikan