‘Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe…’, kryeministri Rama kujton porositë e nënës së ndjerë

Kryeministri Edi Rama i dedikon disa vargje të ëmës së ndjerë, Anetës, që u nda nga jeta një ditë më parë (1 Gusht).

“Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara,” këto janë disa nga porositë e nënës së Edi Ramës, i cili falenderon mijëra qytetarë që kanë shprehur ngushëllimet përmes mesazheve dhe luleve pa fund.

Postimi i plotë:

Mund të derdhësh lot pse iku

Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi

Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet

Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë

Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më

Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të

Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen

Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të

Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj

Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të

Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota

Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara

***Edhe në emër familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.

Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit