Qeveria rrit pensionet me 20 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti. Rritja do të vlejë nga ky muaj, theksoi kryeministri gjatë një konference për media.

Ai bëri të ditur se pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025. Ky ligj përfshin familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Kurti tha se para se të rriten këto pensione, nevojitet “ndryshimi në tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”.

Pensionet që do të rriten nga tetori janë: pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.