Gjashtëë persona u vranë të hënën në Shtëpinë për të moshuar dhe të pafuqishëm në qytetin Daruvar – pjesa qendrore e Kroacisë – raporton noa.al duke cituar RFE. Kryeministri i Kroacisë tha se viktimat ishin kryesisht në të 90-at.
Pesë nga viktimat ishin banorë të shtëpisë së kujdesit dhe një ishte punonjës, tha Shefi i policisë së Kroacisë, Nikola Milina.
Jozyrtarisht mësohet se një burrë që kishte nënën në azil hyri në godinë dhe qëlloi me armë zjarri.
Sipas informacioneve fillestare, 6 persona mbetën të vdekur në vendngjarje, ndërsa 6 janë ende nën trajtim mjekësor.
Mediat shtojnë se sulmuesi iku nga vendi i ngjarjes, por se u kap shumë shpejt nga policia.
“Personi që është i lidhur me krimin, është nën mbikëqyrjen e policisë. Në vendngjarje do të kryhet një hetim i drejtuar nga zëvendësi i prokurorisë së qarkut Bjellovar”, tha policia.
Televizioni rajonal N1 raportoi se sulmuesi është i lindur në vitin 1973, se ka qenë luftëtar në luftën e viteve ’90 në Kroaci dhe se është i afërm i njërës prej banorëve në shtëpinë e të moshuarve.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Krimi i egër dhe i paprecedentë në Daruvar më tronditi. Është një paralajmërim i tmerrshëm dhe një thirrje e fundit për të gjitha institucionet kompetente, që të bëjnë më shumë për të parandaluar dhunën në shoqëri, duke përfshirë kontrolle edhe më rigoroze të armëmbajtjes”, shkroi Millanoviq në Facebook.
Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, tha se është “i tmerruar nga vrasja e pesë personave në shtëpinë e të moshuarve në Daruvar”.
“Pres që organet kompetente t’i përcaktojnë të gjitha rrethanat e këtij krimi të tmerrshëm”, tha ai.
Daruvari është një qytet me një popullsi prej 8.500 banorësh.
Ai gjendet rreth 130 kilometra në lindje të kryeqytetit Zagreb.