Kapen rreth 1 kg tableta të dyshuara në një veturë në Prizren, Sinjali zbulon detaje nga aksioni i Antidrogës

Njësia Kundër Trafikimit me Narkotikë në Policinë Rajonale në Prizren ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një aksion pas arrestimit të një 21-vjeçari në fshatin Shkozë nga policia kufitare, nën dyshimet për posedim e shpërndarje të drogës. I dyshuari ka rrëfyer se substanca e dyshuar nuk është drogë, por tableta për trajtimin e një sëmundje. Rasti tashmë është iniciuar dhe Sinjali sjellë detajet.

Fillimisht, një njësi policore kufitare, në fshatin Shkozë, ka ndalur për kontroll të dyshuarin, të cilit në veturë i është gjetur një sasi prej rreth 1 kg e tabletave, që dyshohen të jenë substanca narkotike.

Sinjali mëson se sasia e dyshuar, që akoma nuk është konfirmuar për llojin dhe vetura e të dyshuarit janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar, për t’iu dorëzuar më pas Antidrogës për trajtimin e rastit.

Nga Njësia e Antidrogës kanë ndërmarrë veprimet e mëtejshëm dhe i dyshuari është intervistuar lidhur me dyshimet e ngritura ndaj tij.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka mohuar se substanca që iu gjet është drogë dhe ka deklaruar se tabletat e konfiskuara i ka siguruar para një kohe gjoja për t’ia dërguar një familjarit që vuan nga sëmundja e kancerit.

Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të veprohet tutje për të konfirmuar substancën e dyshuar që është gjetur dhe varësisht nga rezultati të iniciohet hetimi ndaj të dyshuarit.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/