“Mesdheu ka filluar t’i ngjajë Karaibeve”, meteorologu paralajmëron pas fundosjes së jahtit në brigjet e Palermos

Fundosja e jahtit të ankoruar në brigjet e Siçilisë është tregues se deti i Mesdheut sa vjen e po bëhet më i rrezikshëm për lundrim, sipas meteorologëve dhe kapitenëve.

Jahti 56 metra u godit nga një stuhi e fortë të hënën dhe u fundos brenda pak minutash. Sipas meteorologëve, ngrohja globale është shkaku i stuhive të shpeshta e të forta në det.

Luca Mercalli, president i Shoqatës Italiane të Meteorologjisë tha se temperatura e sipërfaqes së detit rreth Sicilisë në ditët para se të ndodhte fundosja e anijes ishte rreth 30 gradë Celsius, pothuajse tre gradë mbi normalen. Duke krijuar kështu një burim të madh energjie që kontribuon në këto stuhi.

Ndryshimet në detin e Mesdheut vërehen edhe nga kapitenët me përvojë si Massimo Aramu. Ai u shpreh se nuk i pëlqen të lundrojë në brigjet italiane të detit Tirren rreth Siçilisë ose Ishujve Balearik të Spanjës, sepse ka shpeshherë situata pothuaj të paparashikueshme.

Giuliano Gallo, ish-kapiten që ka kaluar Atlantikun dhe ka shkruar disa libra për lundrimin, tha se Mesdheu po bëhet si Karaibet, me zona që anijet i shmangin në periudha të caktuara të vitit. “Megjithatë, gjërat janë më pak të parashikueshme në Mesdhe,” tha ai.

Një shenjë tjetër e motit të paqëndrueshëm në Mesdhe u vu re një vit më parë kur vdiqën mijëra njerëz në Libi nga përmbytjet e papritura prej stuhisë së fuqishme mesdhetare. Stuhia u shkaktua nga ngrohja gjithmonë e me e madhe e deteve.

Karsten Borner, kapiteni i anijes që ishte ankoruar pranë jahtit që u mbyt, tha se stuhia e së hënës ishte shumë e fortë dhe intensive. Sipas tij i përngjante tornados. Gjithashtu, mendon se temperaturat e larta gjatë verës luajnë rol në shkaktimin e stuhive të tilla.

“Uji është shumë i nxehtë për Mesdheun dhe kjo shkakton stuhi të forta, siç ndodhi javë më parë në Balearik, si dy vjet më parë në Korsikë e kështu me radhë”, tha ai.