Tutoret kineze shfrytëzonin dhe kërcënonin eskortat në Tiranë: 15 mijë euro për t’u larguar nga puna

Detaje të reja janë zbardhur nga rrjeti i prostitucionit në Tiranë, i organizuar nga dy gra kineze.

Njëra prej organizatoreve, Yhong Yang, 52 vjeçe, banore në Tiranë, është arrestuar, ndërsa bashkëpunëtorja e saj, një 38-vjeçare nga Kina, është shpallur në kërkim.

Të dyja gratë rekrutonin vajza nga Kina dhe Filipinet përmes rrjeteve sociale, duke u siguruar viza pune dhe leje qëndrimi. Vajzat akomodoheshin në banesa me qira në zona të ndryshme të Tiranës, ku realizoheshin fotografi erotike për t’u reklamuar në faqen “Escort Tirana.” Ato më pas shfrytëzoheshin për prostitucion me tarifa që varionin nga 150 deri në 300 euro.

Kur vajzat kërkonin të largoheshin nga rrjeti, ato përballeshin me kërcënime dhe dhunë, përfshirë kanosjen ndaj familjarëve. Në një rast, 38-vjeçarja e shpallur në kërkim mori një shumë prej 15 mijë euro nga njëra prej vajzave që kërkonte të largohej.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 4500 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, një laptop, tre celularë, dy pasaporta dhe tre fletore me shënime.

Ndaj dy grave janë ngritur akuza penale, ndërsa shtatë vajzat e rekrutuara nga Kina dhe Filipinet u proceduan penalisht.