Ekskluzive | Zyrtari i shtetit u kap me armë ilegale, zbulohen detaje nga aksioni i stacionit policor në Prizren

Një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka përfunduar në prangat e Policisë pas një aksioni të zhvilluar mbrëmë në rrugën “Skender Rexhepi” në Prizren. Zyrtari i shtetit është kapur në flagrancë me dy vajza serbe që dyshohet se merren me prostitucion, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi se zyrtari i Parkut Kombëtar “Sharri”, Rafit Kurtishi, tashmë është dërguar në mbajtje për 48 orë për armë ilegale.

Rasti ka ndodhur në parkingun e ish Benafit në Prizren, ku zyrtari i ministrisë ishte me veturë zyrtare dhe bashkë me të edhe dy vajzat.

Pas kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë të stacionit policor Alfa në Prizren është gjetur një armë me disa fishekë, teksa aksioni ka vazhduar me bastisje.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se operacioni është zhvilluar në dy lokacione, përfshirë shtëpinë e të dyshuarit, ku po ashtu është gjetur një armë tjetër.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe nisjen e hetimeve.

Ndërkaq me rastin e dy vajzave që dyshohen për prostitucion, që u gjetën në veturën zyrtare, po merret Njësia për trafikim me qenie njerëzore.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/