Fundoset gjatë natës gomonia me emigrantë, humbin jetën 8 prej tyre

Tetë persona kanë vdekur gjatë natës teksa përpiqeshin të kalonin Kanalin Anglez.

Shërbimet e shpëtimit u alarmuan pasi gomonia hasi në vështirësi në ujërat në veri të Boulogne-sur-mer në Pas-de-Calais pas orës 01:00 me kohën lokale.

Gomonia u largua me 50 persona në bord dhe filloi të fundosej jo shumë kohë pasi u largua nga bregu.

Kjo ngjarje tragjike vjen më pak se dy javë pasi 12 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë, vdiqën kur një gomone me dhjetëra emigrantë u mbyt.

Incidenti i 3 shtatorit ishte ngjarja më tragjike në Kanal këtë vit.

Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi incidentin dhe tha se autoritetet franceze po merren me hetimet.

Ka pasur një mori tentativash kalimi në dy ditët e fundit me ardhjen e motit më të qetë. Autoritetet detare franceze thanë se 200 persona u shpëtuan në një periudhë 24-orëshe të premten dhe të shtunën.

Duke përfshirë tetë viktimat e fundit, gjithsej 45 persona kanë vdekur në Kanal këtë vit numri më i lartë i raportuar që nga viti 2021, sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin.

Ndërkohë që më shumë se 21,000 njerëz kanë kaluar Kanalin këtë vit.