Aksidenti i shkaktoi infeksion, 20-vjeçarit i rridhte truri nga hundët prej 6 vitesh

Një i ri zbuloi se rrjedhja e vazhdueshme nga hunda e tij nuk ishte alergji, rrufë apo grip, por lëngu i trurit të tij që po dilte për shkak të një aksidenti që kishte pësuar disa vite më parë.

Ky zbulim i tmerrshëm u publikua në “Journal of Medical Case Reports” këtë muaj.

Bëhet fjalë për një 20-vjeçar sirian, i cili vuante prej gjashtë vitesh nga dhimbje koke, kriza epileptike dhe një hundë që i rridhte vazhdimisht. Simptomat e tij kishin nisur pas një aksidenti automobilistik, por ai nuk kërkoi ndihmë mjekësore.

Skanimet e kokës treguan se i riu kishte pësuar një frakturë në bazën e kafkës, me indet e trurit që po kalonin përmes frakturës dhe po dilnin nga hunda e djathtë. Kjo gjendje në mjekësi njihet si “encephalocele”, që zakonisht është një defekt i lindur, por në rastin e 20-vjeçarit ishte shkaktuar nga trauma që kishte marrë në kokë për shkak të aksidentit automobilistik.

Më e pabesueshme është fakti që fillimisht ai refuzoi operacionin për të rregulluar problemin, edhe pasi u diagnostikua me një gjendje të rëndë infeksioni. Më vonë, ai pranoi të kryente operacionin, ku specialistët rikthyen indet e trurit në vendin e tyre dhe riparuan kafkën e tij.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, i riu sirian fatmirësisht arriti të shërohej plotësisht, pa asnjë komplikacion të mëtejshëm.