Zbulohet tuneli misterioz brenda Piramidës së Gizës

Një tunel misterioz është zbuluar brenda Piramidës së Madhe të Gizës, i cili mund të ndihmojë në zgjidhjen e një misteri të kahershëm.

Me moshën që kanë piramidat e lashta të Egjiptit, mund të mendoni se ekspertët dinë gjithçka për to. Megjithatë, studiuesit ende po bëjnë zbulime të reja brenda piramidave edhe në ditët e sotme.

Vitin e kaluar një ekip shkencëtarësh zbuloi një korridor të fshehtë brenda Piramidës së Khufu-së, e njohur ndryshe si Piramida e Madhe e Gizës. Ky zbulim, edhe pse ende mister, mund të sjellë gjetje të reja interesante në të ardhmen.

Korridori misterioz u zbulua nga ekipi i projektit Scan Pyramid, i cili që nga viti 2015 ka përdorur teknologji moderne si skanerë dhe termografi infra të kuqe për të studiuar brendësinë e piramidës.

Sipas Mostafa Waziri, kreut të Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, tavani i tunelit është ndërtuar për të lehtësuar peshën e piramidës.

“Një pikëpyetje e madhe mbetet nëse ky korridor u krijua për të lehtësuar peshën mbi hyrjen kryesore apo për të ndriçuar një hapësirë ende të pazbuluar,” tha ai.

Skanimet do të vazhdojnë për të zbuluar sekrete të tjera.

Piramida e Khufu-së u ndërtua rreth 4,500 vjet më parë gjatë sundimit të faraonit Khufu, dhe vazhdon të tërheqë shumë turistë çdo vit. Pas goditjes që mori turizmi nga pandemia e Covid-19 dhe trazirat politike, qeveria egjiptiane shpreson që zbulime të tilla shkencore të nxisin interesin për historinë e pasur të vendit.