Vendos gjykata, ua cakton nga një muaj paraburgim të arrestuarve në rastin e laboratorit të drogës

Një laborator i drogës u zbulua mbrëmjen e 21 shtatorit në një ndërtesë në Prishtinë, ku dyshohej se përpunoheshin substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë. Dy persona përfunduan në pranga të Policisë, ndërsa bastisjet u kryen në tri lokacione. Ndaj tyre, Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka mësuar se Kadri Gashit dhe Hasan Xhemajlit, i njohur si Viktor Bajçinca, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pas kërkesës së Prokurorit të Shtetit i cili urdhëroi masën e paraburgimit.

Ndryshe, aksioni për këtë rast, sipas Policisë, erdhi pas një hetimi 10 mujor, ku u aplikuan edhe masa të veçanta hetimore.

Gjatë bastisjeve është gjetur një sasi droge e llojeve heroinë dhe kokainë dhe mjete pune për përpunimin e substancave narkotike, si dhe një sasi droge në gjendje të ngurtë prej rreth 7 kilogramë.

“Dyshohet që ky ‘laborator’ për përpunimin e substancave narkotike të llojit heroinë dhe kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave, të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, njoftoi Policia.