U shkatërruan 20 avionë F-35? Dalin pamjet e bazës së Izraelit të goditur nga raketat e Iranit

Raketat balistike iraniane kanë goditur pjesë të bazës ajrore të Izraelit, e cila strehon avionë luftarakë të avancuar F-35, në pjesën qendrore dhe lindore të vendit, siç konfirmohet nga imazhet satelitore të transmetuara nga mediat izraelite.

Megjithëse nuk ka asnjë shenjë për dëme të mëdha, siç u tha më herët në mediat sociale, imazhet e kapura nga Planet Labs PBC dhe të publikuara nga Associated Press tregojnë dëme në dy hangarë avionësh në bazën ajrore Nevatim, në rajonin e Negevit.

Në mënyrë të veçantë, një prej hangarëve duket se është shkatërruar plotësisht, ndërsa ai ngjitur është pjesërisht i dëmtuar. Imazhet satelitore tregojnë gjithashtu të paktën dy kratere të krijuar nga sulmi me raketa i mbrëmjes së 1 tetorit, raporton A2.

Videot e verifikuara të sulmit tregojnë një breshëri raketash që godasin zonën brenda dhe përreth bazës ajrore, sipas Haaretz. Pavarësisht dëmeve në hangarë, burimet izraelite raportojnë se nuk janë regjistruar dëme në avionët luftarakë në bazë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndonjë avion brenda hangarëve është prekur nga sulmi, shkruan A2.

Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po ashtu pranoi se bazat u goditën, por mohuan zërat për dëmtime të avionëve luftarakë, dronëve, municioneve ose infrastrukturës kritike, përcjell A2.

Në një deklaratë, IDF sqaroi se raketat dëmtuan “ndërtesat e zyrave dhe zona të tjera të mirëmbajtjes” në baza dhe e përshkroi ndikimin e sulmit si “të paefektshëm”.

Pas sulmit, në mediat sociale u pretendua se të paktën 20 avionë luftarakë të gjeneratës F-35 u shkatërruan ose u dëmtuan, por nuk ka asnjë provë për të konfirmuar këto pretendime.

Irani lëshoi rreth 180 raketa balistike, duke përfshirë raketa hipersonike me rreze të mesme Fattah-2, në disa qytete në Izrael, pas sulmeve izraelite ndaj infrastrukturës së Hezbollahut dhe vrasjes së liderit të saj, Hassan Nasrallah dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.