“Do t’ju djeg të gjallë të gjithëve”, nëna e 31-vjeçares që u dogj me benzinë tregon kërcënimet

Nëna e 31-vjeçares, Melisa Trëndafili, e cila u dogj me benzinë nga bashkëshorti i saj, Bledar Trëndafili, ka treguar se si përfundoi arratisja e tij.

Ana tregoi se Bledari ishte përpjekur të maskohej për ta takuar ndërsa ajo ishte në spital. Për më tepër, ai e telefononte duke kërcënuar atë dhe familjen e saj.

“Ai e kërcënonte vazhdimisht, i thoshte: “Sa mirë ta bëra, të njëjtin veprim do të bëj edhe me familjarët e tu. Do t’ju djeg të gjallë të gjithëve!”, tha ajo.

Melisa Trëndafili rrëfeu se bashkëshorti i saj 45-vjeçar konsumonte drogë dhe merrte para borxh për të blerë substanca narkotike, çka çoi në prishjen e martesës së tyre.

Fjala e nënës:

“Kishte shkuar tek familja e së motrës, ndoshta për t’u strehuar, nuk e di. Na lajmëruan njerëz që na njohin dhe na thonë që është tek shtëpia duke shkallmuar derën. Unë kisha policinë tek shtëpia se na ka shoqëruar këto dy javë dhe u thashë zotërinë e keni në Korçë mund ta kapni. Nëse nuk e kapni i bie ta kapim vetë. E arrestuan tek lagjja e shtëpisë së motrës së vet.

Numri i vetëm që mbante mend ishte i vajzës. E lamë numrin në funksion që ta lokalizonim, por problemi ishte se ai merrte nga numrat e qytetarëve dhe nuk e lokalizonim dot, gjithashtu kishte ndryshuar pamje. Ditën që dolëm nga spitali kishte shkuar në spitalin e djegies i kishte thënë rojës “Jam vëllai i Melisës, a mund ta takoj?, por roja i tha se ato kanë dalë nga spitali.

Fola dhe personalisht atë ditë me të, tha: ‘Ana, kam ardhur të takoj Melisën, por ju jeni larguar.”. E gënjeva i thashë që: “Jo, do të zbres të të marr”. Por e kuptoi dhe u largua. Po e mbaja me fjalë sa të shkonte policia, por u largua. Ia kemi referuar policisë edhe vendin ku flinte. I gjeti djali rrobat që ndërronte. Me ne e kishte inatin sepse nuk e pranuam. Pse strehuam vajzën në shtëpi. Vajza është në gjendje të rënduar, me psikiatër. Plagët janë në sipërfaqe të madhe, mjekohet çdo ditë. Shpenzimet ishin të papërballueshme ndaj dolëm nga spitali, fëmijët e saj po qëndronin në hotele”, tha nëna e Melisës.