Ekskluzive: Ky është i dyshuari për therjen me thikë në Prizren, po kërkohet nga Policia

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Konfliktet e tilla jo rrallëherë eksalojnë edhe në përdorimin e armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kështu dyshohet se ndodhi edhe mbrëmë në një lokal në afërsi të shkollës “Lekë Dukagjini” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Për motive akoma të panjohura, një person e sulmoi një tjetër duke e goditur me thikë dhe i shkaktoi lëndime të rënda trupoe.

Policia e ka shpallur tashmë në kërkim të njëjtin, i cili pas kryerjes së veprës është arratisur.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Agron Idrizaj.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një lokal, ku pas një mosmarrëveshje, Idrizaj e godet viktimën me mjetin e mprehtë.

Për pasojë, viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe bazuar në informacionet e para është jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarit.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.

“Viktima mashkull kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësor në Spitalin e Prizrenit, pasi që ishte therur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari gjendet në kërkim policor Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/