Një qytetar nga Peshkopia ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania situatën skandaloze të pallatit ku banon, ku copëza betoni vijojnë të shkëputen prej dy vitesh nga fasada, duke rrezikuar jetën e banorëve.
Ai shprehet se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme drejtuar Bashkisë së Peshkopisë, asnjë masë nuk është marrë për riparimin e fasadave në lagjen e tij, ndërkohë që pallatet e tjera në zonë janë rregulluar.
Përveç kësaj, qytetari tregon se Ujësjellës Kanalizime (UK) ka instaluar tubacione uji në një mënyrë të pazakontë, e cila ka hasur në kundërshtim nga banorët, por është zbatuar pas ndërhyrjes së Policisë Bashkiake. Ndërmarrja ka justifikuar këtë veprim si një masë për të vendosur sahatet e rinj të ujit, por banorët ndihen të shqetësuar nga cilësia e punimeve.
Si të mos mjaftonte kjo, qytetari denoncon një rast të mbifaturimit nga Ujësjellës Kanalizime ndaj prindërve të tij, të cilët janë pensionistë dhe sipas ligjit nuk duhet të paguajnë taksën e banesës.
Megjithëse ndërmarrja e ka pranuar gabimin, qytetarit i kanë thënë se “fatura duhet paguar pasi nuk mund të fshihet apo korrigjohet nga sistemi”.
Sipas tij, e gjithë kjo ndodh kur vetëm disa ditë më parë u regjistruan raste të helmimit të qytetarëve nga uji i pijshëm në Peshkopi duke e vënë në pikëpyetje të madhe autoritetet lokale në Peshkopi.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
Pershendetje JOQ! Desha te denoncoj nje rast per UK dhe Bashkine Peshkopi. Pallati eshte ne gjendje te mjeruar sic mund ta shikoni. Copeza betoni jane shkeputur dhe kane 2 vjet qe bien vazhdimisht duke rrezikuar jeten e banoreve dhe askush nuk reagon ndonese kemi vajtur disa here ne Bashki. Fasadat e pallateve te tjera jane sistemuar pervec lagjes tone. Na thane qe do e bejne dhe nuk erdhen. A thua se ne nuk jemi banore e nuk paguajme njesoj taksa. Sikur kjo te mos mjaftonte vijne keto te ujesjellesit me nje super shpikje per tubat e ujit qe as ne Afrike nuk i gjen. (video ilustruese) . Ndonese banoret e kundershtuan dicka te tille u desh nderhyrja e Policise Bashkiake qe tubat te viheshin ne funksion. UK e justifikon kete gjest si nje menyre per te instaluar sahatet e rinj. Me tej UK ka mbifaturuar prinderit e mi me nje takse banese te cilen sipas ligjit nuk duhet ta paguajne sepse jane pensioniste dhe jetojne vetem. Per ankimimin e mbifaturimit jane pergjigjur qe ka qene nje gabim nga ana e tyre por gjths duhet paguar sepse nuk mund te fshihet apo korrigjohet nga sistemi. Tani me thoni ju. A e meritojne te paguajme taksa per UK? Jo me larg se dje jane helmuar njerezit nga uji i pijshem.