Në një seri sulmesh ajrore sot para agimit, avionët luftarakë izraelitë shënjestruan disa vendndodhje në Libanin jugor, duke shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, transmeton Anadolu.
Rreth orës 3:45 të mëngjesit, një sulm ajror rrafshoi xhaminë e vjetër historike në qendër të qytetit Kfar Tibnit, duke shkatërruar plotësisht strukturën, raportoi agjencia.
Më herët, rreth orës 12:15, një tjetër sulm ajror synoi një ndërtesë trekatëshe pranë stacionit Ghabris në autostradën Zefta-Nabatieh, duke e shkatërruar gjithashtu atë, shtoi ajo.
Sulmi shkaktoi mbylljen e rrugës pasi mbeturinat nga ndërtesa bllokuan hyrjen. E njëjta ndërtesë ishte goditur më parë në një sulm ajror një javë më parë, duke e dëmtuar pjesërisht atë.
Një sulm i tretë ajror u krye rreth orës 1:30 të mëngjesit, këtë herë duke synuar qytetin Aita al-Shaab. Nuk ka detaje të mëtejshme për viktima apo dëme të tjera.
Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në gjithë Libanin që nga 23 shtatori kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.437 njerëz, duke plagosur mbi 4.123 të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1,34 milion njerëz.
Fushata ajrore është përshkallëzim i luftës njëvjeçare ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës në Rripin e Gazës tetorin e vitit të kaluar, në të cilën Izraeli ka vrarë afro 42.200 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Lindja e Mesme ishte në prag të një lufte rajonale mes sulmeve brutale të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor.