ak ditë më parë Eleonora Toçi, 24 vjeç, u vra nga bashkëshorti i saj Lulzim Toçi 30 vjeç, krim i ndodhur në Itali.
Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e 9 tetorit. në San Felice, në provincën e Caserta-s, në Itali.
Mediat italiane raportonin se 30-vjeçari shqiptar Lulzim Toci, punëtor bujqësie në zonë, vrau gruan e tij shqiptare 24-vjeçe, Eleonora, duke e mbytur, ndërsa dëshmitarë të krimit të rëndë ishin dy fëmijët e mitur të çiftit, përkatësisht 4 dhe 6 vjeç.
E kur kanë kaluar 4 ditë nga kjo ngjarje, Mehmet Gjura, babai Eleonorës, në një intervistë për News24, akuzon krushkun dhe krushkën e tij, prindërit e Lulzimit, për krimin e rëndë.
“Nuk kemi komunikuar me krushkun, pasi është ai që i ka bërë këto gjëra. Ai ka marrë asistencën dhe i ka lënë pa bukë. Djali i tij nuk ka qenë i sëmurë, ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ka kaluar në depresion. Pse nuk vrau familjarët e vet ai, po vrau gocën time? Vrau vajzën time, për cilën arsye? Ai ka qenë normal, nuk ka qenë në depresion. Nuk ka pasur ndonjë tradhëti as ndaj vajzës sime, as ndaj atij. Unë i kam çuar bukë vajzës sime, këta nuk i çonin bukë”, shprehet Mehmet Gjura për News24 .
Në vijim të komunikimit, Mehmet Gjura shprehet se krushku i tij i ka borxh gjakun e vajzës dhe për këtë ai thotë se i ka çuar edhe fjalë.
“Unë e prita 3 ditë, sipas zakonit dhe kanunit, por ai s’më solli asnjë haber. Unë ia kam dërguar një haber: i kam thënë që sot e një mijë vjet më ke borxh gjakun e vajzës”, shprehet Mehmet Gjura.
Ai është i bindur se shkaktari i kësaj ngjarjeje të rëndë janë krushku dhe krushka i tij. Dhe për të përforëcuar këtë ide, Mehmet Gjura rrëfen banorë të zonës, i kanë shkuar dhe i kanë thënë të mos shpifin.
“Qazim Laci i ka shkuar dhe i ka thënë or ti Bashkim mos bëj shpifje kot. Je gabim”, rrëfen Gjura.
Në vijim ai ka një lutje ndaj shtetit shqiptar.
“Kërkoj nga shteti shqiptar, nga ambasada, që të më sjellin trupin e vajzës nga Italia. Unë s’kam bukë të ha dhe jo të marr trupin e vajzës ta sjell në Shqipëri”, rrëfen babai i Leonorës.
Ndërkohë daja i 24-vjeçares që mbeti viktimë, Sami Toçi, gjithashtu kërkon nga shteti të ndërhyjë dhe të mundësojë kthimin në Shqipëri të trupit të pajetë të Eleonorës.
“Jam daja i gocës, që mbeti viktimë. Kërkoj nga Ambasada përshpejtimin e procedurave të sjelljes së kufomës nga Italia. Babai i vajzës nuk ka mundësi që të sjellë trupin e pajetë të vajzës. Prandaj kërkoj si dajë i vajzës që të përshpejtohet procedura nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Itali me ambasadën italiane në Shqipëri. Morti vazhdon, kemi 5 ditë që kemi hapur mortin dhe do të vazhdojë derisa të vijë trupi i pajetë”, shprehet Sami Toçi.
Dy ditë më parë, Bashkim Toçi, në emisionin “Me Zemër të Hapur” u shpreh se gjyshi i Eleonorës i kishte kërcënuar.
Ai tha se gjyshi i Eleonorës iu kishte thënë përpara disa muajsh, kur çifti kishte pasur krizë, që “vajzën do ta marrin, ose ndryshe do i vriste”. Bashkim Toçi tha se ka kërkuar mbrojtje nga policia, pasi ka dhe djem të tjerë dhe frikësohet nga hakmarrja e mundshme.
“Gjyshi i Eleonorës na ka kërcënuar, ose djali ta marrë ose do ju vrasim me gjithë babë. Mjerë ne dhe atyre që na ka ndodhur kjo histori. Unë nuk e arrij më që të vijë Lulzimi këtu. Pyete pse frikësohem e kam kërkuar mbrojtje? Frikësohem se kam djem të tjerë, prandaj kam kërkuar mbrojtje. Djemtë e tjerë nuk kanë faj, janë mbyllur brenda. Fëmijët e Lulzimit dhe Eleonorës janë shumë mirë”, tha Bashkim Toçi