Disa persona u arrestuan të dielën në Ferizaj, nën dyshimet se kanë sulmuar fizikisht dy të tjerë pas një mosmarrëveshje. Incidenti ka ndodhur në rrugën “Fatmir Kërqeli” në Ferizaj, para shtëpisë së dy viktimave. Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali ekskluzivisht, të dyshuarit janë Ervin Mustafa, Eliot Fejza dhe Adriatik Fejzullahu, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Tre të rinjtë po dyshohen se për motive akoma të panjohura, i kanë sulmuar fizikisht dy vëllezër para shtëpisë së tyre, duke përdorur edhe mjete të forta.
Posa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, i ka prangosur të dyshuarit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa te njëri prej tyre është sekuestruar një armë e gjatë.
Dy viktimat që pësuan lëndime janë dërguar në spital për trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
Ndërsa ndaj të dyshuarve, pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policorë dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme, brenda afatit ligjor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.