Të akuzuar për abuzim seksual me të miturën, Gjykata merr vendimin për Marsel Baçin dhe Selam Hykën

Gjatë seancës së sotme Gjykata e Korçës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Marsel Baçin dhe Selam Hykën.

Selami Hyka 41 vjeç, akuzohet për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, ndërsa 26-vjeçari Marsel Baçi, akuzohet për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.

Vetë 16-vjeçarja ka thënë se në qershor të këtij viti, Selami Hyka ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para, ndërsa 26-vjeçari ka pranuar akuzën se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por ka kundërshtuar akuzën e shfrytëzimit për prostitucion.

Njoftimi:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 26.07.2024 ora 13:00 seanca me objekt: “Vleftësim i ligjshëm ndalimi, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve S.H, M.B ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës.

1- Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit S.H, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” parashikuar nga neni 101/1i Kodit Penal.

2- Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit M.B, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” parashikuar nga neni 114/2 i Kodit Penal.