16-vjeçari shqiptar aksidentohet për vdekje në Itali, prindërit dhurojnë organet e tij

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të dielën, më 11 gusht, në Breshia, Itali me pasojë vdekjen e një 16-vjeçari shqiptar.

Lorenzo Cela, banues në Rivoltella, po udhëtonte si pasagjer në një Volkswagen Polo me të dashurën dhe nënën e saj shofere. Për arsye ende të paqarta, automjeti i tyre u përplas me një mjet tjetër që vinte nga ana e kundërt dhe përplasja kokë më kokë ishte jashtëzakonisht e dhunshme.

Në vendngjarje shkuan disa automjete të urgjencës, duke përfshirë dy autoambulanca.

Lorenzo, i cili brenda një muaji do të kishte mbushur 17 vjeç, vdiq në spital për shkak të plagëve të rënda të marra në aksident. Nëna e të dashurës së Lorenzos, një dyzet e pesë vjeçare nga Montichiari, është ende e shtruar në gjendje të rëndë në spitalin Papa Giovanni në Bergamo. Fatmirësisht, e dashura e Lorenzos dhe dy djemtë në makinën tjetër janë në gjendje më të mirë shëndetësore.

16 vjeçari shqiptar kishte një pasion të madh për futbollin dhe luante me ekipin e të rinjve të Desenzanos.

Pas vdekjes, prindërit e tij, Alket dhe Fabienne, kanë vendosur që të dhurojnë organet e djalit të tyre.